Maqedonia e Veriut në krizë energjetike, qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Qeveria në Maqedoninë e Veriut shpalli të enjten gjendjen e jashtëzakonshme energjetike për 7 ditë, si pasojë e ndërprerjes së furnizimeve me naftë dhe karburante të tjera nga Greqia.
Situata bën që kompania shtetërore e energjetikës, ESM, të përdorë rezervat shtetërore të naftës, pa të drejtë kompensimi.
Ishte pikërisht ESM që i kërkoi qeverisë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të vështirësive që po haste.
Kompania ia atribuoi problemin bllokadës së krijuar nga fermerët grekë në kalimet kufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu, ESM tha se vendimi i qeverisë për të deklaruar ndodhjen e vendit në krizë ishte i nevojshëm për të përdorur rezervat shtetërore dhe për të siguruar teprica energjetike, derisa operacionet ndërkufitare të rifillojnë normalisht.
Shumica e elektricitetit në Maqedoninë e Veriut gjenerohet nga impiantet e ESM-së, që përdorin linjit dhe naftë që vjen nga Greqia.
Pas shpalljes së krizës, Bullgaria i ofroi fqinjit të saj furnizime. Vendimi u mor pas një bisede telefonike mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve, Georg Georgiev dhe Timčo Mucunski.
Fermerët grekë kanë ngritur bllokada në rrugët kryesore të Greqisë veriore, në shenjë proteste ndaj vonesave në shpërndarjen e subvencioneve evropiane për bujqësinë dhe rritjes së çmimeve të prodhimit.
Kjo ka bërë që të paralizohen lëvizjet në autostradat kryesore të shtetit helen, përfshirë atë Athinë-Selanik, si dhe kalimet kufitare me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.